Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu ka rrëfyer atentatin që ishte bërë ndaj tij pas luftës.
Ai në “Debat Plus” ka thënë se puna e madhe që ka bërë për LDK-në ka mundur t’i kushtojë edhe me jetë.
“Unë për aktivitetet e mia në LDK siç dihet kam hëngër plumba. Jam sulmuar vetëm për shkak të bindjeve të mia politike. Nuk e di se nga kush, pasi po ta dija do ta kisha thënë me emër e mbiemër aty ku është vendi”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Valiu thotë sulmi ishte me motive politike pasi sipas tij nuk ka pasur probleme me askënd.
“Kundërshtarët politikë me mjete demokratike nuk kanë mundur të më mposhtin. Unë kam bërë aktivitet dhe sigurisht se kjo i ka penguar dikujt. Një ditë pas orarit të punës, gjatë rrugës për në shtëpi unë kam pasur një sulm të armatosur. Nga një veturë është zbrazur një karikatorë apo më shumë në drejtim të veturës sime. Unë i kam marrë tre plumba në trup dhe dritares e veturës ishin komplet të thyera”.
“Nuk kam informacion se deri ku kanë shkuar hetimet për rastin tim. Shpresoj se këto raste të zbardhen. Unë për fat të mirë jam sot në jetë, por shumë të tjerë sot nuk janë në jetë”.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme thotë se nuk është punë e ministrit zbardhja e rasteve të vrasjeve.
Veliu thotë se edhe sot pavarësisht përpjekjeve për shantazhim ka vazhduar aktivitetin politik./Telegrafi/