Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Agim Veliu pas shpërthimit që ndodhi sot në Ferizaj, ka thënë se MPB dhe agjencitë e saj do të vazhdojnë tu dalin në ndihmë qytetarëve në çdo rrethanë.
Veliu përmes një postimi në Facebook, u uroi shërim të shpejt të gjithë të lënduarve, ndërkaq tha se rastet si ky e ngrisin nevojën e kujdesit sa më të madh por edhe ngritjes së vetëdijës së qytetarëve për rreziqet që na rrethojnë.
“Me shqetësim të madh pranova lajmin rreth incidentit që ndodhi sot në një qendër tregtare në Ferizaj. Lajmet e tilla në këtë fillim vit na shqetësojnë tej mase andaj me këtë rast shpreh keqardhjen time dhe njëkohësisht i dëshirojë shërim sa më të shpejtë të lënduarve. Ky rast por edhe rastet e tjera e ngrisin nevojën e kujdesit sa më të madh por edhe ngritjes së vetëdijës së qytetarëve për rreziqet që na rrethojnë. Ministria e Punëve të Brendshme me agjencitë e saj do të vazhdojnë të ju dalin në ndihmë qytetarëve të saj pa dallim në çdo rrethanë, duke ju ofruar përkujdesje dhe siguri”, shkruan Veliu.
Nga shpërthimi i një bombole të gazit që ndodhi sot pasdite në një lokal në Ferizaj, numri i të lënduarve ka arritur në 42.
Nga 42 të lënduarit në shpërthimin në Ferizaj, 14 tashmë janë pranuar në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Tre nga të lënduarit janë në gjendje të rëndë dhe tashmë i janë nënshtruar edhe operacionit.
Këto detaje i ka dhënë për Telegrafin drejtori i Emergjencës në QKUK, Basri Lenjani. /Telegrafi/