Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu i shoqëruar nga drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, priti në takim ambasadorin e Italisë në Prishtinë, Nicola Orlando, i cili ishte i shoqëruar nga delegacioni i lartë i Guardia di Finanza.
Takimi vjen pas letrës së dërguar nga ministri Veliu për ministrin e Ekonomisë dhe Financave të Italisë, Roberto Gualtieri për fillimin e bashkëpunimit dhe zhvillimit profesional ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Guardia di Finanza.
Veliu falënderoi shtetin e Italisë për ofrimin e mundësive të bashkëpunimit në veçanti me Guardia di Finanza dhe kërkoi mbështetje në fushën e hetimeve të krimeve ekonomike e financiare, kontabilitetin financiar, evazionin fiskal, kontrabandimin dhe financimin e terrorizmit.
Nga ana e tij, diplomati italian Nicola Orlando theksoi se kjo është vizita e parë e këtij niveli nga Guardia di Finanza, e cila vërteton rëndësinë e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Italisë.
Bashkëbiseduesit u dakorduan edhe për nënshkrimin e marrëveshjes ndërshtetërore në fushën e bashkëpunimit policor. Gjithashtu u tha se ky bashkëpunim do të vazhdojë në të ardhmen në ofrimin e ekspertizës dhe trajnimeve me qëllim të shtimit të kapaciteteve të institucioneve të sigurisë. /Telegrafi/