Telegrafi

Veliu: Obligim ruajtja dhe mbrojtja e pyjeve

Vizita e kryetarit të Podujevës Agim Veliu në zonat me pyje është bërë në Ditën Botërore të Pyjeve të Pastra. Me këtë rast ai është shprehur i kënaqur me punën e bërë nga DBPZHR-ja në aksionin e përbashkët me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Agjencinë e Pyjeve për pastrimin e pyjeve.

“Është një obligim, jo vetëm i institucioneve, por edhe i qytetarëve që të përkujdesemi për ruajtjen dhe mbrojtjen e pyjeve tona, si një pasuri e çmueshme natyrore”, tha Veliu, gjatë vizitës në ngastrën me pisha në fshatin Kërpimeh.

Kryetari Veliu, gjatë vizitës edhe në zona të tjera me pyje, shprehu shqetësim për vazhdimin e dukurisë së prerjes ilegale të pyjeve.

Në aksionin e organizuar nga DBPZHR në bashkëpunim me Ministrinë së Mirëqenies Sociale dhe Agjencinë e Pyjeve, i cili ka filluar dy muaj më parë, në disa ngastra të pyjeve është bërë largimi shkurreve dhe mbeturinave nga prerjet ilegale si dhe mbeturinave që janë hedhur nga qytetarët.

Drejtori i DBPZHR, Vezir Januzi tha se aksionet për pastrimin e pyjeve në territorin e komunës së Podujevës organizohen çdo vit. /Telegrafi/