Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu së bashku me zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë shqyrtuar sot në Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike, raportin vjetor të Auditimit, për pasqyrat vjetore financiare të vitit 2019, për ish-Ministrinë e Administratës Publike.
Me këtë rast ministri Veliu e ka e informuar komisionin parlamentar se Ministria e Punëve të Brendshme, pas një procesi të auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2019, ka pranuar raportin nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në të cilin është konstatuar opinioni i pamodifikuar, me theksim të çështjes dhe në të cilin raport janë evidentuar 12 çështje, nga të cilat nuk ka rekomandime për keqpërdorim të parasë publike, mirëpo kontribuojnë në shtimin e kontrollit të brendshëm në organizatë, përkatësisht të MPB-së.
“Si rrjedhojë, kam marrë veprime sipas të gjitha afateve ligjore për hartimin e planit për zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) dhe për të gjitha çështjet relevante në raport janë caktuar personat përgjegjës të cilët duhet dhe po përcjellin afatet e zbatimit të rekomandimeve të auditorit”, ka thënë ndër të tjera ministri Veliu.
Gjatë raportimit në komision ministri Veliu i është përgjigjur edhe interesimit të deputetëve që e përbëjnë këtë komisionin, duke iu ofruar transparencë dhe qasje për çfarëdo kërkese që mund të vijë nga komisioni dhe Parlamenti i Kosovës. /Telegrafi/