Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka publikuar një fotografi me emisarin amerikan në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, si shenjë falënderimi pasi dje MCC ka njoftuar se do ta zhbllokojë ndihmën amerikane për Kosovën.
Veliu, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “miqësia, besnikëria dhe bashkëveprimi i ndërsjellë mes ShBA-ve dhe Kosovës rezulton në veprime dhe projekte konkrete”.
Postimi i plotë i Veliut:
“Miqësia, besnikëria dhe bashkëveprimi i ndërsjellë mes ShBA-ve dhe Kosovës, fryt i vizionit perëndimor euroatlantik, rezulton në veprime dhe projekte konkrete. Dje MCC ka zhbllokuar fondin prej mbi 200 milionë dollarësh menjëherë pasi që Qeveria e Kosovës largoi pengesat për vazhdimin e dialogut”, ka shkruar Veliu.
Qeveria e Kosovës të shtunën votoi për shfuqizimin e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë, masë kjo që u vendos nga qeveria e kaluar, më 1 prill.
Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së SHBA-së (MCC), ka mirëpritur shfuqizimin e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe ka njoftuar për rinisjen e zbatimit të programeve të zhvillimit ekonomik në Kosovë.
Përmes një komunikate për media, MCC tha se mirëpret vazhdimin e partneritetit me Qeverinë e Kosovës. /Telegrafi/