Ish-nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, i është kundërpërgjigjur ashpër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, pas ky i fundit, në një intervistë televizive, ka thënë se do t’i mbyll dyert e partisë për disa njerëz që kanë pasur pushtet në LDK.
Abdixhiku ka thënë se “nuk duhet të vazhdojmë dekadën e katërt të LDK-së, me njerëz që s’kanë çfarë i japin LDK-së”.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Veliu përmes një postimi në Facebook, duke thënë se “në vend se të marr përgjegjësi dhe bashkë me kandidatin e tij të kërkojnë falje për humbje në garë për Podujevën, Lumir Abdixhiku, që hyri nga dritarja në LDK, i paska marr çelësat e partisë që t’ua mbyllë derën e shtëpisë atyre që e ndërtuan dhe me sakrificë e mbajtën dhe e ngritën për 30 vjet”.
“Autokratit të katapultuar në krye të partisë, që paska kërcënuar me mbyllje dyersh e diferencime, ia bëj me dije se është anëtarësia e LDK-së ajo që vendos për vendin e secilit në parti dhe jo ai me vendime kundërstatutar”, ka shkruar Veliu.
Më tej ai ka thënë se “heshtja e deritashme nuk do të thotë se unë si kryetar i Degës së LDK-së do të dorëzohem përballë ndërhyrjeve kundërligjore dhe kundërstatutare të Lumirit, në degën e Podujevës”.
Postimi i plotë i Veliut:
“Në vend se të marr përgjegjësi dhe bashkë me kandidatin e tij të kërkojnë falje për humbje në garë për Podujevën, Lumir Abdixhiku, që hyri nga dritarja në LDK, i paska marr çelësat e partisë që t’ua mbyllë derën e shtëpisë atyre që e ndërtuan dhe me sakrificë e mbajtën dhe e ngritën për 30 vjet.
Autokratit të katapultuar në krye të partisë, që paska kërcënuar me mbyllje dyersh e diferencime, ia bëj me dije se është anëtarësia e LDK-së ajo që vendos për vendin e secilit në parti dhe jo ai me vendime kundërstatutare.
Heshtja e deritashme nuk do të thotë se unë si kryetar i Degës së LDK-së do të dorëzohem përballë ndërhyrjeve kundërligjore dhe kundërstatutare të Lumirit, në degën e Podujevës.
Lokomotivisti Abdixhiku paska thënë se nuk do të ketë kthim mbrapa të trenit, të cilin ai tashmë e konsideron pronë të tij.
Këtë dëshmoi në përvjetorin e 32-të të LDK-së, ku të pranishmët në sallë, i konsideroi si vagonët e tij.
“Unë dhe ju”. Kështu iu drejtua Lumiri “admiruesve” të tij në disa raste.
Në 32 vjetorin e themelimit të LDK-së ai shkarazi përmendi kontributin e themeluesve të saj.
Më pastaj “lideri” i ri ishte përkujdesur ta ndajë LDK-në në katër dekada-periudha.
Në podiumin me logon e LDK-së, pa ngjyrat e saj identifikuese, “lideri” u tregoi ndjekësve të tij se tash po fillon dekada e tij në parti dhe ai mund të ndërrojë jo veç ngjyrat, por edhe logon e partisë.
“Lideri”, që po shpërfaqte hapur tiparet narcisoide në formë çrregullimi, rrahte gjoks duke përsëritur refrenin: “Unë dhe ju…”
Lumiri i vogël, i katapultuar në vend të madh, ndjekësve të ekzaltuar harroi t’u thotë: “S’ka rëndësi nëse deri dje ua kam sharë partinë, liderët e veprimtarët. Sot jeni kopeja ime. Më ndiqni mua, shpëtimtarin tuaj”.
Kërkoi ta ndjekim lokomotivën që ai drejton, pasi e di mirë se në cilët binarë synon ta çojë për të realizuar ëndrrën e tij dhe të atyre që ia dhanë për mision ta bëjë këtë.
Lumirit, që tinëzisht hyri në LDK dhe luan rolin e gardianit me çelësa në dorë, i them se je tepër i vogël t’ua mbyllësh dyert gardianëve të vërtetë që e ndërtuan LDK-në e madhe.
LDK nuk është një lodër që për fatin e saj të vendosë një tinejxher politik.
Prandaj, do të dështojë edhe misioni yt që trenin e LDK-së ta shndërrosh në një vagon, të cilin synon t’ia bashkangjesësh lokomotivës së kuqe”, ka shkruar Veliu. /Telegrafi/