Site icon Telegrafi

Veliu dorëzoi çelësat e shtëpive të reja për 20 familje në Lagjen e Dëshmorëve

Për nder të festës së 28 Nëntorit, sot në Lagjen e Dëshmorëve në Balloc të Podujevës, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka dorëzuar çelësat e shtëpive për 20 familje që deri tani jetonin në kontejnerët e kësaj lagjeje.

Në ceremoninë e dorëzimit të çelësave, kryetari Veliu tha se ndjehet i lumtur që sot, në ditën e festës së 28 Nëntorit, ua dorëzoi çelësat e shtëpive të reja 20 familjeve, përfituese të shtëpive në Lagjen e Dëshmorëve.

Kryetari Veliu u zotua se do të angazhohet fort derisa të largohet edhe familja e fundit nga kontejnerët.

“Komuna e Podujevës do të përkujdeset që ta rregullojë infrastrukturën përcjellëse në mënyrë, që kësaj lagjeje t’i japim pamjen e një vendbanimi modern”, tha kryetari Veliu.

Këto shtëpi u ndërtuan nga një projekt i përbashkët i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Komunës së Podujevës, kurse kryetari Veliu apeloi te Ministria që të vazhdojë përkrahjen e këtij projekti deri në përfundimin e tij. /Telegrafi/

Exit mobile version