Telegrafi

Veliu dhe deputeti i Parlamentit të Gjermanisë: Çështja e kufijve nuk duhet të jetë temë në dialogun me Serbinë

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në një takim deputetin e Parlamentit të Gjermanisë nga radhët e CDU-së, njëherësh edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, dhe raportues për Ballkanin Perëndimor Peter Beyer dhe drejtorin e KAS-it për Maqedoni dhe Kosovë Johanes Rey, me të cilët ka biseduar edhe për zhvillimet aktuale politike në vend.

Gjatë takimit me mysafirët nga Gjermania, kryetari Veliu i ka informuar ata për investimet e bëra në infrastrukturë dhe zhvillimin e komunës, planifikimet si dhe mundësitë për investime në të ardhmen.

Kryetari Veliu gjithashtu ka folur për bashkëpunimin e Podujevës me disa qytete të Gjermanisë, me ç’rast ka kërkuar  ndihmën angazhimin e deputetit gjerman për jetësimin e nismave për bashkëpunim konkret me ato qytete, përcjell Telegrafi.

Kryetari Veliu, që është edhe nënkryetar i LDK-së, në takimin e sotëm me deputetin gjerman kanë biseduar edhe për zhvillimet e përgjithshme politike në vend, me theks të veçantë për çështjen e shkëmbimit (korrigjimit) të territoreve, pasi që Podujeva është komunë kufitare me Serbinë.

“Shprehëm qëndrim të përbashkët se që çështja e  kufijve nuk është temë që i duhet Kosovës në fazën e finalizimit të dialogut me Serbinë”, ka thënë Veliu, përmes një postimi në Facebook.

Gjatë qëndrimit në Podujevë mysafirët nga Gjermania zhvilluan takim me përfaqësuesit e organizatave jo qeveritare rinore dhe shefat grupeve të këshilltarëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Komunës. /Telegrafi/