Me rastin e 5 Majit – Ditës së Përkujtimit të Dëshmorëve dhe të Rënëve, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule te komplekset memoriale dhe varrezat e dëshmorëve llapjanë, të rënë në periudha të ndryshme të historisë së Kosovës.
Sipas një njoftimi, kryetari Veliu, bashkë me një delegacion të Komunës, për nder të 5 Majit – Ditës së Përkujtimit të Dëshmorëve dhe të Rënëve, vizituan Kompleksin Memorial të Heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti në Orllan, Kompleksin Memorial “Baza e parë e UÇK-së” në fshatin Lladoc dhe varret e dëshmorëve të tjerë llapjanë, ku bënë homazhe dhe vendosën lule.
“Heronjtë, dëshmorët dhe martirët e të gjitha kohërave janë dëshmia dhe zotimi për të duhurën dhe të vullnetshmen. Liria është aura dritplotë e veprës së tyre sipërore”, tha kryetari Veliu, me rastin e homazheve në Ditën e Përkujtimit të Dëshmorëve dhe të Rënëve.
Me rastin e Ditës së Përkujtimit të Dëshmorëve dhe të Rënëve, delegacione nga Komuna e Podujevës kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur lule edhe te varret e dëshmorëve dhe të rënëve të tjerë, të rënë në periudha të ndryshme të historisë së Kosovës. /Telegrafi/