Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka thënë se ai asnjëherë nuk do të largohet nga LDK.
Veliu ka theksuar se pavarësisht sjelljeve të lidershipit aktual, ai gjithmonë do të jetë me partinë e tij, LDK, transmeton Telegrafi.
“Unë jam në LDK, kam qenë, jam dhe do të jem gjithmonë, asnjëherë nuk do të largohem pavarësisht sjelljeve të lidershipit aktual në këtë rast. Unë konsideroj se lidershipi dhe kryetari i LDK-së kanë role të përkohshme kurse LDK është parti sipas meje e përhershme dhe unë do të jem anëtari i saj”, ka pohuar ai në Debat Plus të RTV Dukagjinit.
Veliu shtoi tutje se ai për një kohë është sulmuar nga militantët e LVV-së, dhe se nuk është mbrojtur nga partia e tij.
“Kam qenë i sulmuar nga militantët e LVV-së, për shkak të pozicionimit tim në raport më LVV-në. Dhe, fatkeqësisht LDK nuk më ka mbrojtur sepse po të më mbronte mua dhe disa të tjerëve sigurisht se gjërat do të rrjedhnin pak më ndryshe”, ka thënë mes tjerash Veliu. /Telegrafi/