Telegrafi

Velipoja e boshatisur, me sytë nga hapja e kufirit me Kosovën

Për vite me radhë plazhi i Velipojës ka qenë nga më të frekuentuarit në Shqipëri dhe ka një vijë bregdetare prej 14,5 km me rërë kurative dhe det të pastër. Por për dallim nga vitet tjera kur në këtë kohë veçse shkonin vizitorët e parë, këtë vit është i boshatisur.

Administratori i Velipojës, Altin Kaçi tha për Report Tv se mbyllja e kufijve veçanërisht me Kosovën ka sjellë një dëm të madh ekonomik për turizmin në Velipojë.

“Rreth 80% e rezervimeve janë anuluar, një 20 për qind nuk janë konfirmuar as ata”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Lekë Marku që ka një restorant në Velipojë kërkoi që qeveria të marrë sa më shpejt vendimin për të hapur plazhin.

Ai tha se është i gatshëm t’i përgjigjet masave të reja për distancimin social dhe higjienën.

“Ne edhe tani prisnim që qeveria të vinte në lëvizje gjykimin e saj që kësaj jave të lironte hapjen e sezonit në Velipojë, duke respektuar kushtet e vendosura. Nuk ka rezervime siç ka pasur në vitet e tjera”, tha Marku.

Ndryshe, pushuesit në plazhin e Velipojës janë më së shumti nga Kosova.