Site icon Telegrafi

Veliaj reagon pas arrestimit të ish-drejtorëve: Gjueti shtrigash, e shohim drejtësinë aleate strategjike

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar pas arrestimit të ish-drejtorëve të Bashkisë Tiranë.

Ai tha se nuk ka asnjë koment për vërtetësinë e akuzave, për shkallën e përfshirjes ose jo të secilit në aktivitetin e paligjshëm për të cilin akuzohen, për fajësinë apo pafajësinë e tyre, që është ekskluzivisht tagër i gjykatës.

“Kjo vijë e kuqe ma bën të pamundur futjen në debat për faktet, me ata të cilët e shfrytëzojnë lirinë e fjalës në media për të bërë prokurorin, sigurimin modern apo inkuizitorin mesjetar, duke më përfshirë edhe mua në të dënuarit pa gjyq, për sa ka ndodhur ose nuk ka ndodhur.

Por, nëse për faktet e kam të pamundur të hyj në debat sepse do të cenoja parimin e mosndërhyrjes në një çështje të drejtësisë, për pjesën time të përgjegjësisë dhe për rolin që kam me bekimin e qytetarëve të Tiranës, e kam të pamundur të mos shprehem.

Po! Nuk ka asnjë diskutim, që unë kam punuar dhe bashkëpunuar me këta njerëz dhe për sa më takon, e kam vlerësuar punën e tyre në bazë të rezultateve, që flasin vetë në çdo cep të qytetit, për këdo që do t’iu referohet arritjeve reale në sektorët që ata kanë drejtuar, në kohën që kanë punuar në Bashkinë e Tiranës”, tha ai, raporton Tch.

Veliaj tha se Mariglen Qato ka drejtuar IMT-në nga shtatori 2018 gjer në shtator 2023.

“Falë punës së tij dhe asaj skuadre është bërë i mundur Bulevardi i Ri, çlirimi i Unazës tek Astiri, lirimi i Liqenit nga zaptimet në gjysmën e tij, hapja e terreneve në Kombinat dhe 5 Maji për lagjet e reja pas tërmetit. Teksa sot ecim në ato bulevarde, buzë Liqenit, apo përgjatë Unazës së Madhe, ne kuptojmë sa punë të dobishme ishin për qytetin, por edhe sa kundërshtarë politikë u ndërzyen ndaj IMT-së sepse kishin lidhur karrierën e tyre me bllokimin e këtyre kantiereve e sabotimin e Tiranës”, tha ai.

“Redi Molla ka drejtuar UKT-në në vitet 2016-2020, ku e ktheu një ndërmarrje të falimentuar në të vetmin ujësjellës me bilanc pozitiv në vend, që sot financohet direkt nga bankat ndërkombëtare të zhvillimit dhe që e ktheu Tiranën e vogël nga 7 orë ujë në ditë, ku vaditej misri e thaheshin lagjet, në një qytet 25 herë më të madh në sipërfaqe, me 20 orë ujë mesatarisht, e në shumicën e zonave urbane me 24 orë ujë.

Taulant Tusha ka drejtuar punët publike në Bashkinë e Tiranës gjer vitin e kaluar. Me një përkushtim të jashtëzakonshëm ka ndjekur 24/7 projekte që Tirana i priste prej një shekulli – nga Sheshi Skënderbej, tek Pazari i Ri, nga Bulevardi Zogu I, tek Unaza e Vogël, nga Kalaja e Tiranës në qendër, tek ajo e Petrelës në periferi, nga zgjatimi i Lanës, e gjer tek Lumi i Tiranës, që përmbyste gjithë njësitë 4, 8, 9 e 11, e gjer tek 101 kopshte e çerdhe të rinovuara, e 40 shkolla të reja, nga ‘Kosova’ e ‘Samiu’, gjer tek ‘Partizani’ e ‘Çajupi’, ku çdo ditë ulen e rriten 200 mijë fëmijë të kryeqytetit në kushte optimale”, u shpreh kryetari i Tiranës.

Veliaj tutje tha “tani ka një pyetje, sa brutale aq edhe banale, që ngrihet rëndom nga inkuizitorët mesjetarë, sigurimsat modernë dhe prokurorët mediatikë nëpër banaqe televizionesh, kurdo që SPAKU vepron ndaj një zyrtari të caktuar: Si ka mundësi të mos i dinte këto Edi Rama dhe si mund të ndodhi që, deri edhe zëvendësi i tij, një person që sot është në kërkim nga drejtësia, t’i bëjë këto pisllëqet e mëdha për të cilat akuzohet, pa bekimin e kryeministrit?

Më falni! Po pse, në cilën pjesë të funksionit të tij të përcaktuar me Kushtetutë dhe dispozita ligjore, kryeministri duhet të përgjojë zëvendësin e tij apo cilindo zyrtar tjetër, me të cilin e lidh puna, kur këta të fundit e ushtrojnë influencën e postit dhe i përdorin lidhjet e tyre me X-in ose Y-in, për të përfituar në mënyrë të paligjshme?!

Si mund të jetë kaq e padiskutueshme, që një kryeministër, apo në rastin tim, një kryetar bashkie, të jetë në dijeni të çdo gjëje që s’ka të bëjë fare me funksionin e tij të përcaktuar me ligj apo me objektivat e me një mijë e një problemet e përditshme të punës së tij?!”, tha ai.

“Ku jemi këtu? Në komunizëm? Kur shoku Enver i vinte mbrapa një parti të tërë e një armatë të tërë me spiunë, të gjithë zyrtarëve të shtetit, deri tek vrima e çelësit e shtëpisë së tyre, që sot u dashka të arrestohet e të burgoset nga gjykata politiko-mediatike, titullari i institucionit, sapo SPAK-u nxjerr fletët e arrestit për një apo disa zyrtarë të institucionit disa mijëra vetash që ai drejton?!

I ngre këto pyetje retorike sepse në asnjë vend normal demokratik, nuk ndodh kjo gjueti shtrigash. Në parlamente, ekrane, portale, madje as në rrjetet sociale të Francës, Italisë, Greqisë e me radhë, nuk i shikon këto turra drush për të djegur të gjallë Presidentë, kryeministra, kryetarë bashkish, kur drejtësia thjesht po bën punën e saj në luftën kundër korrupsionit dhe ku gjykatat, në fund, e ndajnë shapin nga shqeri, të fajshmit nga të pafajshmit!

Këta gjahtarët profesionistë të shtrigave, që kanë një mandat deputeti të partive me vulë të humbur apo një kravatë moderatori dhe analisti në kolltuqet e spektakleve politike televizive të çdo mbrëmjeje, po që s’kanë asnjë respekt për dinjitetin njerëzor, për punën, për faktet, duan që populli ta harrojë këtë të vërtetë të madhe”.

Kryetari i Tiranës po ashtu tha se drejtësia të vazhdojë punën e saj.

“Gabime mund të kem bërë edhe unë plot! S’kam asnjë dyshim! Po s’e kam bërë kurrë fajin që ta përdor firmën time, fjalën time, ndikimin tim, për çfarëdo lloj përfitimi personal të paligjshëm. Uroj që këtë ta vërtetojnë deri në fund edhe hetimet për inceneratorin e Tiranës, me të cilin e vetmja gjë që më ka lidhur ka qenë pastrimi i këtij qyteti, tanimë shembullor në pastërti, edhe hetimet për këtë çështjen e hapur së fundmi nga drejtësia.

Unë i trembem shkeljes së normave me të cilat jam edukuar që fëmijë në këtë qytet dhe e kam frikë ligjin përpara se sa të bëhem një subjekt i ndëshkimit të tij, kështu që nuk e kam shkelur kurrë as ligjin, as besimin e atyre që më kanë dhënë tre herë mandatin për të drejtuar Tiranën. Prandaj, drejtësia të vazhdojë punën e saj, s’ka nevojë t’ia them unë se çfarë duhet të bëjë, ndërsa unë do të vazhdoj punën time me skuadrën e transformimit të Tiranës, edhe me më shumë këmbëngulje për Tiranën e për bashkëqytetarët e mi, pas kësaj ngjarjeje që nuk më bën aspak krenar”.

Exit mobile version