Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj reagoi sërish sot nga paraburgimi i Durrësit, pasi GJKKO vendosi masën “arrest me burg” me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Veliaj publikoi një pjesë nga debati në gjykatë ndërsa merrej masa e sigurimit ndaj tij mes atij vetë, prokurorit të çështjes Ols Dado dhe gjyqtarit Erion Bani.
Kryebashkiaku Veliaj e cilëson këtë një dialog në “thertoren” e Erion Kasapit, ndërsa gjuhën e prokurorit të SPAK-ut, Olsi Dados e konsideron “një gjuhë aq të ulët, sa edhe Erion Kasapi duket xhentëllmen para tij”.
“Kjo gjuhë dhe atmosferë, sikur sigurimsat janë kthyer nga penxherja, pasi i nxorëm nga dera, nuk duhet toleruar më”, tha Veliaj në rrjetet sociale. Në debatin e bërë publik nga Veliaj, prokurori Dado e quan kërcënim faktin që kryebashkiaku Veliaj i ka përmendur një banesë që ai ka në posedim.
“Unë besoj që është konflikt interesi. Prokurori mendon që kjo sjellje është normale, por nuk është normale”, pohon Veliaj në debatin gjatë seancës.
Nga ana e tij, prokurori Dado shprehet se ka mesazhin në telefon, por Veliaj thekson se sipas tij “ai ka të drejtë të thotë që s’është normale”.