Telegrafi

Veliaj inspekton punimet në pallatet e reja në Kombinat: Në 2025 mbyllim rindërtimin

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet për projektin transformues në zonën e Kombinatit. Lagjja e re në këtë zonë do të ofrojë kushte të përshtatshme dhe bashkëkohore për strehimin e familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, duke shërbyer, po ashtu, si një qendër urbane me apartamente cilësore, objekte arsimore etj.

Veliaj u shpreh besimplotë se 2025 do të jetë viti kur do t’i jepet fund problematikave që shkaktoi kjo fatkeqësi natyrore në kryeqytet, duke shtuar se projekti do të sjellë një ringritje cilësore për zonën e Kombinatit.

“Qëllimi është të bëjmë një punë për së mbari! Na duhet që të shkojmë te mbi 1 mijë apartamente për ta mbyllur përfundimisht historinë e tërmetit dhe për t’u siguruar që viti buxhetor 2024-2025 është viti kur ne i japim fund një prej dramave më të mëdha, të cilën nuk e shkaktoi qeveria e bashkia, por natyra dhe mënyra si tërmeti solli shumë dëmtime. Pyetja është: jo si rrëzohemi, por sa shpejt dhe si ngrihemi. Në kohë rekord prej 5 vitesh dhe me një ngritje cilësore, me këto apartamente nuk fillon vetëm një shtëpi e re, fillon një jetë e re, një komunitet i ri dhe një lagje e re për Kombinatin tonë”, tha Veliaj.

Për kryebashkiakun, ky projekt është produkt i politikës së mirë dhe bashkëpunimit, me qëllimin për të realizuar punë dhe projekte konkrete në funksion të komunitetit. Ai falenderoi qytetarët për besimin dhe u bëri thirrje të mos lejojnë të përdoren nga politika e vjetër që, sipas tij, krijon vonesa të pafalshme. Sipas kreut të Bashkisë, zhbllokimi i procedurave gjyqësore dhe barrierave politike ka mundësuar realizimin në kohë rekord të projektit./abcnews/