Site icon Telegrafi

Veliaj: Deputetët e PD me sjellje rrugaçërore

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vizitoi pasdrekën e sotme në Spitalin Ushtarak tre policet bashkiake, Doriana Kolgjini, Sonila Azemi dhe Ludina Sinani, të cilat u lënduan fizikisht gjatë protestës së Partisë Demokratike kundër këndit të lojërave për fëmijë në kodrat e Liqenit.

Si pasojë e përplasjes të protestuesve, tre efektivet e Policisë Bashkiake kanë pësuar dëmtime serioze në trup dhe në kokë, ndërsa janë duke marrë ndihmën e specializuar të mjekëve. Veliaj u njoh nga afër me situatën shëndetësore të 3 vajzave dhe u uroi atyre shërim sa më shpejtë.

Kryebashkiaku Veliaj dha edhe një deklaratë për mediat, ku dënoi dhunën e ushtruar ndaj policisë nga ana e deputetëve të Partisë Demokratike, ndërsa i akuzoi ata për paburrëri.

Ai theksoi se Bashkia e Tiranës ka bërë denoncimin për procedim penal të të gjithë atyre që sot goditën policinë dhe shkatërruan pemët dhe këndin e lojërave në Parkun e Liqenit.

Gjithashtu, kryetari i bashkisë konfirmoi edhe një herë se pavarësisht përpjekjeve të opozitës për të penguar punën për transformimin e qytetit, Bashkia e Tiranës është e vendosur që të vijojë të gjitha projektet zhvillimore që ka nisur.

Exit mobile version