Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, që po bënë karrierë në superligën turke me Gençlerbirligin, është shprehur optimist për të marrë një rezultat pozitiv ndaj Kombëtares turke.
Turqi – Kosovë luhet më 12 nëntor në Antalia, dhe i takon grupit I kualifikues për “Rusia 2018”. Muriqi zbulon atmosferën para ndeshjes.
“Me sa kam dëgjuar janë shitur të gjitha biletat. Do të jetë një atmosferë mjaftë e mirë në stadium dhe shpresoj se edhe do të bëhet një lojë e fortë dhe e mirë, por që në fund ne të jemi fitues”, deklaroi Muriqi për Gazetën Olle.
Ai në Gençlerbirligi luan me lojtarin e Turqisë, Ahmet Calik, që ka marrë ftesën e Fatih Terimit.
“Kemi folur me Calikun. Me të vërtetë ata kanë frikë nga ne, sepse në rast se ne dalim fitues, Turqia do të humb rastin për kualifikim dhe ata e dinë mirë këtë. Por, e dinë edhe këtë se nuk janë më të fortë se ne. Pra, do të bëhet një lojë shumë e fortë nga fillimi deri në fund”, shtoi sulmuesi prizrenas, që ka dy gola me Gençlerbirligin këtë sezon.
Muriqi, karrierën e ka nisur me Lirinë e Prizrenit, për të kaluar më pas tek Teuta e Durrësit, prej nga u transferua në Turqi.
Në ndeshjen e fundit me Kosovën, ai luajti titullar ndaj Ukrainës.