Sulmuesi Vedat Muriqi ka folur pas fitores ndaj Armenisë, ku mbajti edhe shiritin e kapitenit në mungesë të Amir Rrahmanit.
Muriqi ka thënë se ka qenë shumë e rëndësishme të niset me fitore ky cikël me përzgjedhësin e ri, por sipas tij skuadra duhet të përmirësohet ende në aspektin taktik, por edhe të shënimit të rasteve.
“Me rëndësi ka qenë ta nisim me fitore ciklin e sivjetshëm të miqësoreve, por edhe të ndeshjeve zyrtare. Siç kemi folur në zhveshtore, sot ka qenë e rëndësishme të fitojmë, por besoj që nuk arritëm qëllimin taktikisht, por edhe me rezultat”.
“Është dashur ta mbyllim ndeshjen më herët, pasi që kishim raste unë dhe Miloti (Rashica), por duhet të mësojmë prej gabimeve, gjë që kemi vuajtur edhe në ndeshjet e kaluara”.
“Duhet të mësojmë duke nisur nga ndeshja tjetër me Hungarinë që të jemi më komod. Edhe pse është miqësore, fitorja është fitore. Duhet të fitosh edhe në miqësore, pasi fitorja rrit motivimin e lojtarëve, vetëbesimin e lojtarëve dhe në prag të ndeshjes me Hungarinë ka qenë shumë e rëndësishme që ta nisnim me fitore”, ka thënë Muriqi.
Kosova pas katër ditësh do të luajë ndaj Hungarisë në Budapest. /Telegrafi/