Site icon Telegrafi

I veçuar nga të tjerët shkaku i gripit dhe me shumë gjasa do ta humb vendin e titullarit në finale – Real Madridi nuk e la heroin e tyre të stërviste me shokët

Real Madrid dhe Borussia Dortmund do të luajnë finalen e Ligës së Kampionëve në stadiumin Wembley të Londrës të shtunën në orën 21:00.

Përpara finales së madhe, portieri Andrij Lunin është duke u përballur me një virus gjatë ditëve të fundit. Ukrainasi kishte temperaturë të lartë, por filloi të rikuperohej dhe stafi i trajnerëve e lejoi të stërvitej sot pasdite.

Megjithatë, nga frika e përhapjes së virusit, u vendos që ai të stërvitej individualisht, larg pjesës tjetër të skuadrës që trajneri Carlo Ancelotti do të çojë në finalen e Londrës, shkruan AS.

Lunin hyri në sezon si portieri i tretë pas Thibaut Courtois dhe Kepa Arrizabalaga. Megjithatë, pas lëndimit të Courtois, ai kishte rastin dhe e shfrytëzoi më mirë se Arrizabalaga, duke bërë 31 paraqitje deri më tani.

Ai u shndërrua në një hero në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, kur priti penallti nga Mateo Kovacic dhe Bernardo Silva kundër Manchester Cityt, duke i mundësuar Realit të kalonte në mesin e katër klubet më të mira. Los Blancoas pastaj eliminuan Bayernin Munichun në gjysmëfinale.

Lexo po ashtu Kontratë të re dhe rritje page, Reali blindon yllin e ri

Pavarësisht gjithë kësaj, mediat spanjolle shkruajnë se Lunin nuk do të mbrojë ndaj Borussia Dortmundit dhe se pozicioni titullar do t’i shkojë Courtoisit, i cili duket se është rikuperuar plotësisht nga një dëmtim i rëndë në gju.

Nëse shëndeti i ukrainasit përmirësohet më tej, ai do të udhëtojë jo me pjesën tjetër të ekipit të enjten, por të premten ose të shtunën.

Gruaja e portierit ka postuar një foto në Instagram, ku tregon Lunin duke u stërvitur në shtëpi me mbishkrimin: “Kur ethet nuk janë pengesë për stërvitje. Jam shumë krenare për ty”.

Lunin ka 11 paraqitje për Kombëtaren e Ukrainës. Ai e filloi karrierën e tij në Dnipro dhe Zorya Lugansk dhe në vitin 2018 Real Madridi e solli për 8.5 milionë euro.

Lexo po ashtu E nisi sezonin si portieri i tretë, tani është e pabesueshme se si ai u bë hero i Real Madridit

Ai ishte i huazuar te Leganes, Valladolid dhe Real Oviedo, ndërsa nga viti 2020 është në ekipin e parë të Real Madridit. Kontrata e tij është e vlefshme deri në verën e vitit 2025./Telegrafi/ 

Exit mobile version