Apple ka lansuar veçorinë më të mirë për siguri në kuadër të versionit të ri të sistemit operativ, iOS 17.3, që mbron telefonin tuaj nëse vidhet nga hajdutët.
Veçoria, e quajtur “Stolen Device Protection” do të aktivizojë masa shtesë mbrojtjeje tek iPhone-i juaj që do ta bëjë më të vështirë për hajdutët të kenë qasje në disa aplikacione të caktuara edhe nëse ata e dinë fjalëkalimin e telefonit, transmeton Telegrafi.
Nëse aktivizoni këtë veçori, hajduti i telefonit tuaj do të duhet të jap një gjurmë të gishtërinjve (Touch ID) ose opsionin e njohjes së fytyrës (FaceID) për të pasur qasje në disa aplikacione me rëndësi.
Por, si funksionon kjo?
Kur aktivizoni veçorinë “Stolen Device Protection”, Apple do të vendosë limite shtesë në disa aplikacione kur iPhone-i juaj nuk është në ndonjë lokacion të zakonshëm, sikurse në shtëpinë tuaj apo edhe në punë. Pra, veçoria aktivizohet në momentin kur telefoni juaj gjendet në ndonjë vendndodhje të panjohur, të cilën do ta identifikojë menjëherë.
Kur vidhet pajisja e juaj, hajduti do të duhej të jap disa të dhëna biometrike nëse duhet të bëjë disa ndryshime.
Megjithatë, le të supozojmë në skenarin më të keq se hajduti ka arritur të mashtrojë telefonin me të dhëna biometrike. Atëherë në këtë rast, softueri nuk do t’ia përditësojë këto të dhëna për së paku 1 orë.
Kjo do t’ju jap kohë për ju që të gjurmoni vendndodhjen e telefonit tuaj të vjedhur, pasi hajduti nuk do të arrijë për së paku 1 orë të çaktivizojë veçorinë Find My.
Sipas ndryshimeve, kjo vonesë vlen për përpjekjet që dikush të ndryshojë fjalëkalimin tuaj të AppleID, për të përditësuar cilësimet e sigurisë së llogarisë Apple ID.
Vonesa gjithashtu vlen nëse dikush përpiqet të fshijë veçoritë e FaceID ose të TouchID.
Edhe pas një ore, softueri sërish do të kërkojë nga përdoruesi të jap të dhëna identifikuese.
Si mund ta aktivizojmë këtë veçori?
Aktivizimi i kësaj veçorie është fare i thjeshtë.
Fillimisht duhet të siguroheni nëse e keni të aktivizuar përditësimin më të fundit softuerik të sistemit operativ iOS 17.3.
Më pas, hapni opsionin e “Settings”, shkoni tek opsioni “Face ID & Passcode”, pasi ta keni bërë këtë do t’ju shfaqet butoni i veçorisë “Stolen Device Protection” dhe në fund shtypni “Turn On Protection”. /Telegrafi/
Përgatiti Arigona Bytyçi