Nga rreth 310 hektarë prona të Instituti Bujqësor, 52 hektarë janë uzurpuar, ndërsa 31 hektarë tokë janë tjetërsuar nga persona dhe biznese të ndryshme, bëhet fjalë për Zonën Kadastrale në Prishtinë dhe Pejë. Bazuar në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, vetëm për një pjesë të pronave të tjetërsuara në magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë vlera e tokës shkon në mbi 20 milionë euro.
Në zonën ku një ari tokë kushton 30 mijë euro, që nga paslufta Institutit Bujqësor i janë tjetërsuar mbi 8 hektarë tokë, vlera mbi 24 milionë euro.
Bëhet fjalë për Zonën Industriale në magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë.
Instituti Bujqësor në këtë zonë ka pasur mbi 11 hektarë tokë, por sot në pronësi i ka vetëm 3 hektarë, të tjerat i janë tjetërsuar nga njerëz të ndryshëm.
Kjo është vetëm një pjesë e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për “Menaxhimin e tokave/pronës nga Instituti Bujqësor”, i publikuar në gusht të 2024-s.
Vetëm në Zonën Kadastrale të Prishtinës, Institutit të Bujqësisë i janë tjetërsuar mbi 12 hektarë tokë. Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, tjetërsimet kanë ndodhur kryesisht pas viti 2001, ndërsa për disa prej tyre mungon edhe dosja ose dokumentacioni.
Tjetërsim të pronave ka pasur edhe në zonën kadastrale të Pejës. Nga 312 hektarë tokë të Institutit Bujqësor, gati 19 hektarë janë tjetërsuar nga persona privat ose kompani.
Në Pejë para vitit 1999 janë tjetërsuar mbi 16 hektarë prona, ndërsa pas luftës mbi 2 hektarë.
Por gjetjet e Auditorit nuk përfundojnë me kaq.
“Instituti Bujqësor ka diku 309 hektarë tokë në posedim dhe ajo çka ne kemi vërejtur, është se 52 hektarë kanë qenë të uzurpuara nga personat juridik apo fizik, pastaj diku 31 hektarë tokë janë tjetërsuar”, ka thënë Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca.
Sipas Auditores së Përgjithshme 16 hektarë tokë janë tjetërsuar para viti 1999, ndërsa 14 hektarë tokë pas luftës. Spanca thotë se shumica e kontratave për lëshimin e tokave me qira janë dhënë për qëllime industriale, e jo për qëllime bujqësore.
“Momentalisht Departamenti për çështje juridike dhe kundër-mashtrimit në Zyrën Kombëtare të Auditimit është duke e analizuar raportin në fjalë dhe duke i përgatitur rastet që t’i dërgojmë tek Prokurori i Shtetit”, ka thënë Spanca.
Por çka ka bërë Ministria e Bujqësisë për t’ia kthyer tokat Institutit Bujqësor? Në një përgjigje për TV Dukagjini, ata paraqesin të dhënat që i përmendën në tekstin më lartë, duke theksuar se kanë bërë denoncime dhe thirrje alarmuese drejtuar organeve të drejtësisë.
“Rreth 31ha tokë vetëm në dy zona Kadastrale të Pejës dhe Prishtinës janë tjetërsuar, pa miratimin e madje as informimin e pronarit të tokës, Ministrinë e Bujqësisë. Në territorin e Komunës së Prishtinës, kemi gjetur se sipërfaqja e përgjithshme e tjetërsuar është 12ha e 4ari. Këto tjetërsime janë bërë pas vitit 2001 dhe në disa raste mungon madje edhe dosja e tjetërsimit! Pas senzibilizimit të vazhdueshëm e denoncimeve të njëpasnjëshme të keqpërdorimeve me prona publike, si dhe thirrjeve alarmuese drejtuar organeve të drejtësisë, si në Ulpianë të Prishtinës, Qyshk e Stankaj të Pejës, si dhe në Fushë Kosovë, përgjatë dy viteve të fundit edhe Zyra Kombëtare e Auditimit e ka ngritur këtë shqetësim në nivel institucional. Kjo është një dëshmi e gjallë dhe faktike për dorën e zgjatur të krimit, i cili ka dëmtuar pronën dhe interesin publik! Pas insistimeve tona, Ministrisë së Bujqësisë i janë rikthyer në pronësi: 10 ha në Qyshk të Pejës; 1 ha e 34 ari në zonën industriale Prishtinë- Fushë Kosovë. Nga Prokuroria e Pejës janë ngritur 22 aktakuza për ndërtime në pronën e Ministrisë, në Stankaj”.
Në anën tjetër Auditorja e Përgjithshme thotë se Ministri i Bujqësisë e ka dërguar një plan të veprimit për zbatimin e rekomandimeve të auditimit duke shprehur gatishmëri që të plotësohen përgjatë vitit 2025, e madje duke kërkuar edhe ndihmën e ZKA-së për dokumentacion të pronave.
Instituti Bujqësor funksionon me një udhëzim administrative të vitit 2003, i cili sipas ZKA-së nuk e adreson mënyrën e menaxhimit të pronave, dhe kjo po vlerësohet si shtegu që ka sjellë keqmenaxhim të tokave bujqësore./Dukagjini/