Site icon Telegrafi

Veç koncerteve, Dren Abazi ka gati albumin e ri (Video)

Dren Abazi kohët e fundit ka kaluar shumë kohë në Tiranë. Së fundmi pjesëmarrës në një koncert bamirësie me pjesëmarrës zëra kryesisht lirikë, mes syresh shumë pyetën për arsyen e pjesëmarrjes.

“Përveç kauzës, ideja për të kënduar në Pallatin e Kongreseve është gjithmonë e mirë”, ka thënë Dren Abazi, citon Top Channel.

Po kjo mbase e ka një përgjigje të thjeshtë. Ai është i pëlqyer, publiku e do për zërin, stilin apo performancën. Është komentuar shumë që ai kaloi Atlantikun për të shkuar të performojë në San Paolo në Brazil.

“Eksperienca në Brazil ka qenë shumë e bukur, por ka qenë diçka që ndoshta ndodh vetëm një herë në jetë”, ka thënë ai.

Ndërsa muzika që ai bën dhe performon është lakuar shpesh si një përzierje e muzikës ballkanike me xhaz, sa i përket kësaj të dytës nuk ngurron ta mohojë. “Unë nuk bëj xhaz, por si muzikant them se xhazi nuk del jashtë mode asnjëherë”, ka theksuar këngëtari.

Ai pohon me kënaqësi se tingujt e kitarës së tij e kanë frymëzimin nga qyteti i kitarave. Atëherë kur ai adoleshent gjendej në Korçë përgjatë luftës së Kosovës: “Në brendi e kam një ndikim nga serenatat korçare, madje edhe koncertin e parë e kam dhënë në Korçë, në moshën 14-vjeçare”.

Të performosh për jetën e natës është një mënyrë jetese për shumë artistë. E krahas kësaj ai vijon punën me albumin. Por, edhe më shumë se për këto të gjitha, Dreni përmendet sidomos për stilin.

“Stili, për mua, është mënyrë e jetës”, është shprehur Abazi.

Exit mobile version