Site icon Telegrafi

A vdiset për Atdhe?!

Bajram Mjeku

Nga: Bajram Mjeku

Në vjeshtën e vitit të kaluar, miku im Naim Bajraktari më njoftoi përmes telefonit se Marku, djali i Gjokë Spaçit, veprimtar i shquar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, gjendej i shtrirë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

Baca Mark, kishte kohë që nuk na trajtonte si miq, por si djemtë e tij, pasi vetëm pak muaj më parë, kishim botuar librin “Testamenti i fshehur”, protagonist i të cilit ishte babai i tij Gjokë Spaçi dhe 21 veprimtarë tjerë, të cilët në një proces gjyqësor politik në vitin 1950 në Gjykatën e Prishtinës ishin dënuar me plot 297 vjet burg të rëndë.

Kur mbërritëm në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, baca Mark u emocionua aq shumë sa e harroi sëmundjen. Derisa bisedonim, në komodinën skaj krevatit pamë recetën e barërave. Në dy lloje të barërave të përshkruara në recetë, ishte shënuar nga një pikëpyetje e madhe! E thirrëm mjekun kujdestar për t’u konsultuar për pikëpyetjet dhe mjeku i zënë ngushtë na tha:

– Këto barëra kanë çmim të lartë, prandaj ua kemi shënuar pikëpyetjet në fund…

Naimi e kishte mik të ngushtë të babait, pasi baba dhe axha i tij Sefë e Zekë Bajraktari nga Suhareka, ishin anëtarë të Grupit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe së bashku me Gjokë Spaçin kishin vuajtur dënimet në Burgun e Nishit.

Kur mbaruam vizitën, si asnjëherë në jetën time u ndjeva i trazuar, mbasi pikëllimi brenda meje u përzie me zemërim. Shteti ynë është katandisur aq keq dhe deri në masën sa të mos e bëj dallimin midis atyre që gjithë jetën kanë bërë sakrificë për atdheun dhe kanë mbetur pa asnjë kacidhe dhe atyre që e kanë tradhtuar e vjedhur sa herë u erdhi ndoresh, derisa këta të fundit i gëzojnë të gjitha benefitet e shtetit, paligjshëm dhe pamëshirshëm njëkohësisht!

Pak ditë më vonë, baca Mark ndërroi jetë. Gjatë ceremonisë se varrimit në Velezhë të Prizrenit, jam ndier shumë i pikëlluar.

Para se të ndërronte jetë, baca Mark e kishte lënë një testament, të cilin e lexoi para pjesëmarrësve të varrimit një familjar i tij. Përmes letrës testament, i ndjeri baca Mark falënderonte për pjesëmarrje në varrim të gjithë familjarët dhe miqtë e tij të shumtë, por edhe ata që për shkaqe të ndryshme nuk kishin mundur të marrin pjesë.

Dy javë pasi ndërroi jetë, Marta bashkëshortja e tij, një grua fisnike na i kishte dërguar përmes djalit të saj Mirashit nga dy shishe me raki rrushi, të cilat baca Mark i kishte ruajtur për neve, që të na i dhuronte kur të shkonim për ta vizituar në Velezhë mbasi të dilte nga spitali.

Kjo është një copëz rrëfimi për djalin e një anëtari të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, i cili ndërroi jetë në kohën kur ata që sakrifikuan për lirinë e këtij vendi nëpërkëmben si mos më keq, derisa tradhtarët shpërblehen “ligjërisht” dhe dekorohen botërisht si patriotë!

Prandaj nga dëshpërimi lind pyetja: a vdiset për Atdhe?!

Nga e majta në të djathtë: Bajram Mjeku, Mark Spaçi, bashkëshortja e tij Marta dhe Naim Bajraktari.

 

Exit mobile version