Një nga fëmijët brutalisht të vrarë në sulmin e një shkolle në Texas, vdiq derisa ishte duke e thirrur policinë, ka bërë të ditur një familjar i saj.
Siç edhe është raportuar, 21 persona u vranë ditën e 24 majit, kur një adoleshent filloi të gjuante me armë në shkollën fillore Robb Elementary School, shkollë në të cilën vijojnë mësimet fëmijë nga moshat 7 deri në 10 vjeç.
Një nga ata që humbën jetën ishte edhe 10 vjeçja Amerie Jo Garza.
Duke folur për mbesën që e humbi në këtë sulm, gjyshja e Amerie, Berlinda Irene Arreola, tha se ajo vdiq si një heroinë.
Në një mesazh dërguar për Daily Beast, zonja Arreola shkroi se “mbesa ime u vra duke thirrur policinë, ajo vdiq si heroinë duke u munduar të gjej ndihmë për vete dhe shokët e saj të klasës”, transmeton Telegrafi.
“Mbesa ime ishte një vajzë që i pëlqente të dilte me shoqërinë, ajo kishte një zemër të madhe. Ishte afër të gjithëve dhe mundohej që të ndihmonte ata. Sapo mori një certifikatë për sukses në mësime. Ishte shumë e mençur, dhe mendonte që në të ardhmen të arrinte shumë në jetë”, shtoi më tutje ajo. /Telegrafi/