Telegrafi

Vdesin edhe tre të infektuar me COVID-19, shkon në 47 numri i viktimave në Kosovë

Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka njoftuar se edhe tre pacientë të infektuar me COVID-19 kanë ndërruar jetë sot, kurse edhe tre pacientë janë në gjendje kritike.

Në njoftimin e Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, thuhet se mbrëmë në këtë klinikë ka ndërruar jetë një pacient i moshës 57- vjeçare, kurse sot një pacient tjetër i moshës 78-vjeçare të dy nga Komuna e Prizrenit, kurse një 61 vjeçar i vdekur është nga Suhareka.

“Mbrëmë në Klinikën Infektive ka ndërruar jetë pacienti J.N. 1963 nga komuna e Prizrenit si dhe sot në orët e hershme të mëngjesit ka ndërruar jetë pacienti R. B. 1942 nga komuna e Prizrenit, të cilët përveç infeksionit me Covid -19 kishin edhe sëmundje shoqëruese.  Sot, në orën 08:15, ka vdekur pacienti me inicialet D.N, viti i lindjes 1949 nga Suhareka, i cili ishte pranuar në Njesinë Intensive në objektin e Mjekesisë me datën 23.06.2020, si transfer nga Klinika Infektive, i konfirmuar me strisho pozitive për COVID-19”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Me këto tri raste, numri i viktimave nga Coronavirusi në Kosovë shkon në 47.

Më tej në njoftim thuhet se “bazuar në raportin e datës 27.06.2020, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, janë të hospitalizuar 97 raste Covid -19 pozitiv.

“45 raste janë duke u trajtuar në reparte me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive”.

“Në repartin e Mjekimit Intensiv janë duke u trajtuar 5 raste, 2 raste janë në gjendje të rëndë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, si dhe 3 raste janë në gjendje kritike me frymëmarrje të asistuar me respiratorë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/