Site icon Telegrafi

Vdesin dy të burgosur në Kosovë, njëri kreu vetëvrasje

Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve kanë njoftuar se një i burgosur në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë ka kryer vetëvrasje, kurse një i burgosur në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan ka vdekur si pasojë e një sëmundjeje.

Në njoftimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Departamentit Shëndetësor të Burgjeve thuhet se sot, pas një sëmundjeje të gjatë, ka ndërruar jetë i burgosuri me inicialet M.R.

“Ai ishte pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan më 23.10.2024, në gjendje të rënduar shëndetësore si pasojë e një sulmi ishemik në tru një vit më parë dhe po trajtohej në Njësinë Shëndetësore të Qendrës së Paraburgimit në Gjilan”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Sipas njoftimit, më 26.10.2024, me rekomandimin e mjekut të Njësisë Shëndetësore, ai ishte dërguar në Repartin e Neurologjisë të Spitalit Rajonal të Gjilanit, ku, pas trajtimit, ishte liruar me përmirësim të gjendjes shëndetësore.

“Gjatë transportit për në Stacionarin e Dubravës, gjendja e tij u përkeqësua, dhe ekipi mjekësor u detyrua ta dërgojë në Spitalin e Istogut. Fatkeqësisht, ai ndërroi jetë rreth orës 19:50; vdekja u konstatua nga mjekët e Spitalit të Istogut”.

Gjithashtu, bëhet e ditur se në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, sot rreth orës 19:00, është gjetur i vetëvarur me jelek të burgut në dhomën e tij i burgosuri me inicialet A.G.

“Menjëherë pas zbulimit të rastit, oficerët korrektues dhe stafi shëndetësor i Qendrës ndërmorën të gjitha përpjekjet e nevojshme, duke e nisur me shenja jete në Emergjencën e SHSKUK-së, por përpjekjet për ta rikthyer në jetë rezultuan të pasuksesshme”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se Shërbimi Korrektues i Kosovës ka themeluar një Komision Hetues për të hetuar rrethanat e ngjarjes.

“Organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat ligjore të nevojshme, ndërsa autopsia do të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes për të dyja rastet”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, i cili u ka shprehur ngushëllime familjeve të të ndjerëve. /Telegrafi/

Exit mobile version