Site icon Telegrafi

Vdesin binjakët 5-muajsh në Berat – prindërit dyshojnë te qumështi, mjekët te diçka tjetër

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme në Berat, ku dy foshnje 5-muajshe, binjakë kanë ndërruar jetë.

Foshnjat që ndërruan jetë janë Rojan dhe Rojel Agalliu.

Binjakët janë dërguar pa shenja jete në spital rreth orës 09:00 të mëngjesit, pavarësisht tentativës së prindërve.

Familjarët dyshojnë se shkak ka qenë helmimi nga qumështi me kuti.

Por sipas burimeve të Report Tv nga spitali i Beratit, nga analizat paraprake nuk ka rezultuar të ketë pasur shenja helmimi në trupin e tyre, edhe pse prindërit kanë pasur dyshime se foshnjat mund të jenë helmuar nga qumështi me kuti, me të cilin nëna i ushqente që nga dita e lindjes.

Mjekët dyshojnë te një tjetër pistë, se binjakët mund të jenë asfiksuar nga soba me dru në shtëpi.

Nëna i kishte lënë për pak kohë binjakët me një fqinje, pasi ishte larguar për të blerë diçka në dyqan, por kur është kthyer i ka gjetur pa jetë. Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkakun që u mori jetën binjakëve, që sot janë përcjellë për në banesën e fundit.

Ky është rasti i tretë në pak ditë, pasi dje ndërroi jetë një foshnje në Kavajë, ndërsa para 5 ditësh një në Librazhd.

Shefi pavionit të Pediatrisë, Vladimir Kumaraku, u shpreh për Report Tv se shkaku i vdekjes së dy foshnjave është mister deri tani.

Ai tha se prindërit i sollën pa shenja jete, ndërsa tani priten përgjigjet nga mjekësia ligjore.

“Dy fëmijët binjakë erdhën në repartin e Pediatrisë pa shenja jete, kishin filluar shenjat që vdekja ka ndodhur minuta përpara. U mbajtën në repart derisa erdhi policia e Beratit, drejtoria, mjekësia ligjore dhe pastaj filluam procedurat për shkakun. Është një ngjarje që na trondit të gjithëve, por shkaku mbetet enigmë. Ardhja e tyre ishte rreth orës 10:00 dhe u bënë të gjitha veprimet. U dërguan në morgun e spitalit, atje vijoi më pas procedura. Nuk kanë qenë fëmijë në ndjekje mjekësore deri në çastin e vdekjes, familjarët nuk paraqitën gjë konkrete, por i sollën pa shenja jete”, tha ai.

Exit mobile version