Shuhet në moshën 84-vjeçare, arkitekti dhe piktori Maks Velo. Lajmi është konfirmuar nga të afërm të tij. Mësohet se prej disa ditësh, Maks Velo ishte i shtruar në QSUT, pasi vuante nga anemia e theksuar.
Maks Velo u lind në Paris, në vitin 1935, në familjen e Sotirit, mjek të diplomuar në Athinë dhe të specializuar si okulist në Francë, dhe Ani Poros – vajzës së një emigranti nga Dardha e Korçës. Kur ishte pesë vjeç, familja e tij u kthye në Korçë, ku Maksi kreu studimet deri në vitin e dytë gjimnaz.
Në Korçë ka qenë nxënës i piktorit Vangjush Mio. Në vitin 1952, familja është zhvendosur në Tiranë, ku Maksi ka përfunduar dhe studimet e larta në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit – Arkitekturës.
Edhe pse me profesion arkitekt, piktura ka qenë një pasion, të cilin Maksi e ushtronte rregullisht, i tërhequr nga rryma impresioniste, ekspresioniste dhe surrealiste. Këto prirje në pikturë dhe qëndrimi kundër doktrinës socialiste në art dhe politikë, sollën dërgimin e tij në disa fshatra derisa e arrestuan në vitin 1978, kur ishte 43 vjeç. Dy vite më parë ai ishte ndarë nga bashkëshortja, me të cilën ka një djalë. Ish-bashkëshortja dëshmoi kundër Maksit për qëndrimet e tij moderniste në pikturë. U akuzua për agjitacion dhe propagandë kundër shtetit dhe u dënua me 10 vjet burg. Shumë nga pikturat dhe objektet artistike që iu gjetën në shtëpi (249), u shkatërruan me urdhër të Gjykatës. U lirua me amnisti para mbushjes së afatit të dënimit, në vitin 1986.
Në vitet 1990, Maks Velo ka botuar një varg librash me tregime dhe skica rreth kohës së burgut, si dhe një koleksion të madh pikturash.
Si artist, ai krijoi në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër ishte i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar. /Mapo/