Site icon Telegrafi

Vdes tre vjeçarja nga shembja e shtëpisë në Prizren

Një vajzë tre vjeçe nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve që ka marrë nga shembja e shtëpisë së familjes së saj në Qendrën Historike në Prizren.

Shtëpia në rrugën “Marin Barleti”, prapa Kishës së Shën Gjergjit në Prizren, sipas dyshimeve të zyrtarëve policorë është shembur nga reshjet e shiut.

Për portalin Koha.net rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Prizrenin, Vesel Gashi.

“Në rrugën ‘Marin Barleti’, prapa Kishës së Shën Gjergjit si pasojë e shembjes së një shtëpie të vjetër, një fëmijë, i gjinisë femërore, e moshës 3 vjeçe, ka marrë plagë vdekjeprurëse. Prindërit e kanë dërguar në emergjencë, mirëpo mjekët e kanë konstatuar vdekjen e fëmijës”, ka thënë Gashi për Koha.net. “Struktura e shtëpisë ka qenë mjaft e dëmtuar dhe reshjet e shiut kanë ndikuar në shembje”, ka thënë më tej ai.

Sipas Gashit janë edhe dy persona, të gjinisë femërore që kanë pësuar lëndime në këtë rast, njëra 10 vjeçe dhe nëna e tyre 40 vjeçe.

Paraprakisht portalin e kishte njoftuar për këtë rast një lexues nga Prizreni, që kishte thënë se në këtë shtëpi jetonte një familje skamnore, dhe e cila jetonte vetëm nga mbledhja e skrapit. Gjithnjë sipas këtij lexuesi, fëmijët jetojnë vetëm me nënën e tyre.

Exit mobile version