Telegrafi

Vdes tragjikisht në moshën 17 vjeçe lundruesja që debutoi në Lojërat Olimpike të Tokios

Lundruesja tuniziane Eya Guezguez vdiq tragjikisht teksa stërvitej në det me motrën e saj binjake Sarra të dielën.

17-vjeçarja, e cila garoi në Lojërat Olimpike të Tokios 2020 në moshën 16-vjeçare, ndërroi jetë pas një aksidenti ku  anija u përmbys për shkak të erës.

Motra e saj, e cila konkurroi së bashku me të në turneun e lundrimit në Lojërat Tokio 2020 verën e kaluar, i mbijetoi fundosjes tragjike.

Motrat Guezguez përfunduan në vendin e 21-të në garën 49er FX, por kishin shpresa të mëdha për të konkurruar në Lojërat Olimpike të ardhshme dhe për të përmirësuar performancën e tyre debutuese pasi mbërritën në Tokio si atletet më të reja të kombit të tyre.

Vdekja e saj u raportua fillimisht nga gazetari tunizian Souhail Khmira, i cili  shkroi në Twitter: “Eya Guezguez, tuniziania olimpike e Ëindsurfer, ka ndërruar jetë sot pas një aksidenti në stërvitje. U prehtë në paqe”.

Nderim për lundruesen e re ka bërë edhe faqja zyrtare në Twitter e ETTACHKILA, duke thënë: “Kampionja jonë e lundrimit, Eya Guezguez vdiq sot pas një aksidenti gjatë stërvitjes për kombëtaren”.

“Ne i shprehim ngushëllimet tona familjes dhe të dashurve të saj”.

Krijuesi i La Pelota, Zied Jendoubi, shkroi: ‘Eya Guezguez, vdiq pas një aksidenti gjatë stërvitjes për ekipin kombëtar të lundrimit”. /Telegrafi/