Telegrafi

Vdes Sasha Saviq drejtuesi i ‘Ujqërve të natës’, njëri ndër përkrahësit kryesor të Vladimir Putinit në Serbi

Ka vdekur udhëheqësi i klubit të motoristëve “Ujqërit e natës” dhe një ndër përkrahësit e Vladimir Putinit në Serbi, Sasha Saviq i njohur si Schwaba.

Siç njoftojnë miqtë e tij në Facebook, 44 vjeçari ka vdekur si pasojë e një sulmi në zemër.

Me bekimin e Ipeshkvit të Nishit, Arsenije, vitin e kaluar ai organizoi liturgji në Nish, si një lloj mbështetjeje për opozitën në Malin e Zi.

Sasha Saviq, i njohur si Schwaba

Saviq kishte lindur në Berlin dhe jetoi në Nish.

Në vitin 2014, ai ishte dekoruar nga Ministria ruse e Mbrojtjes.

Po ashtu, kishte marrë dekoratë nga dega ballkanike e kozakëve në Ambasadën ruse në Serbi për meritat e përhapjes së miqësisë serbo-ruse.

“Ujqërit e natës” kohë me parë i kishin dhuruar një ikonë kishtare kryetarit të Presidencës serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës, Millorad Dodik të cilën ky i fundit i kishte dhuruar ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov gjatë vizitës në Banja Llukë.

Lexo po ashtu Oligarku rus Konstatin Malofeev i kishte dhuruar një ikonë të vjedhur Milorad Dodikut, ky i fundit ia dha ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov

Kjo ikonë ishte vjedhur nga seperatistë rusë gjatë luftimeve në Krime të Ukrainës.

Kur shpërthej konflikti në Ukrainë, luftëtarët e Republika Srpska mbështetën separatistët pro-rusë.

“Ne ishim në Krime. Ne i mbrojtëm vendet e shenjta. Unë personalisht isha në Krime. Unë nuk e di se çfarë është e gabuar me këtë gjeopolitikë”, kishte thënë Saviq. /Telegrafi/