Sot në moshën 70-vjeçare ka vdekur, Osman Gashi, i njohur ndryshe si Osman Sefa, ose anëtari i grupit T’bijtë e Sefë Mleqanit.
Ai e ka humbur betejën me kancerin.
Osmani, bashkë me Imerin dhe Ibrahimin kanë qënë zëri kryesor i muzikës folklorike shqipe në Kosovë për disa dekada.
Deri në kohën e luftës në ketë grup muzikor ka qenë edhe Beqiri, i cili kishte vdekur në kufirin Kosovë – Shqipëri në vitin 1998, si pjestarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkë me Mujë Krasniqin.
T’bijtë e Sefës muzikën e kanë trashëgim nga baba, pra Sefa, një veteran i këtij zhanri të muzikës.
Osmani do të mbahet gjatë në mend për zërin e tij, për muzikën dhe motivet e këngëve që i ka interpretuar. Ai për shkak të teksteve patriotike të këngëve të tij ishte arrestuar kohë pas kohe nga regjimi jugosllav.
Osmani, bashkë me vëllezërit e tjerë, ishin inspiruesit kryesor të rezistencës së shqiptarëve.
Këto këngë kishin efekt të jashtëzakonshëm në lindjen dhe mobilizimin e UÇK-së, pjesë e së cilës ishte Beqiri.
Ndër këngët më të pëlqyera, tashme historike në këtë zhanër muzikor, do të mbetën Hikmetja, Ajshja, Kral Nikolla, Ali Pasha, U plaka unë u plak sharkia, Ç’janë këta djem që kanë marrë detin, Ahmet Delia, Kalldremi po më shkon si shah etj.