Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka shprehur ngushëllime për vdekjen tragjike të punëtorit të KEDS-it, Idriz Prekazi.
Përmes një postimi në Facebook, Jashari ka thënë se e ka pikëlluar lajmi i vdekjes së mikut të tij, Idriz Prekazi i cili tha se ishte shembull për të gjithë.
“Me dhimbje e pikëllim mora lajmin për vdekjen në mënyrë tragjike të shokut e mikut tim, Idriz Prekazi. Si punëtor i vyer i KEDS-it, Idrizi sot brenda orarit zyrtar të punës, duke i shërbyer vendit dhe qytetarëve, vdiq në mënyrë tragjike pas një incidenti me energji elektrike. Idriz Prekazi ishte një punëtor, burrë, prind, mik e shok shembull për të gjithë”, shkruan Jashari.
Ai tha po ashtu se, “Vdekja e tij tragjike është një goditje e madhe për të gjithë ne”.
Jashari në emrin e tij dhe komunës së Skenderajt, i shprehu ngushëllime familjes Prekazi dhe miqve e kolegëve të të ndjerit.
“Në emrin tim personal dhe të komunës së Skenderajt, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Prekazi, kolegët e punës, shokët dhe të gjitha ata që kishin fatin ta njohin Idrizin. U prehsh në paqe mik i dashur”, shkruan ai. /Telegrafi/