Ka vdekur presidenti 92 vjeçar i Tunizisë, Beji Caid Essebsi, pasi ishte dërguar në një spital ushtarak të mërkurën.
Ai ka qenë një figurë e rëndësishme e tranzicionit të këtij vendi të Afrikës Veriore, drejt demokracisë pas një revolucioni të vitit 2011.
“Të enjten në mëngjes Presidenti i Republikës vdiq në spitalin ushtarak në Tunizi. Ceremonia e varrimit do të shpallet më vonë”, tha presidenca përmes një deklarate.
Sipas kushtetutës, kryetari i parlamentit përkohësisht do të shërbejë si president.
Essebsi ka qenë një figurë e shquar në Tunizi që nga përmbysja e autokratit veteran, Zine El-Abidine Ben Ali, në vitin 2011, kur ndodhen kryengritjet kundër udhëheqësve autoritarë, në të gjithë Lindjen e Mesme, përfshirë Libinë dhe Egjiptin.
Zgjedhjet parlamentare pritet të mbahen më 6 tetor, ndërkaq ato presidenciale më 17 nëntor.