Një zyrtar policor i cili mbeti në gjendje kritike pas një sulmi masiv me thikë në qytetin gjerman të Manheim të premten ka vdekur, kanë njoftuar sot autoritetet lokale.
29-vjeçari ishte një nga gjashtë personat, përfshirë aktivistin anti-islamik Michael Stürzenberger, që u plagos nga sulmuesi, i cili u ndalua në vendngjarje.
Polici u godit disa herë me thikë në kokë. Pavarësisht se iu nënshtrua një operacioni urgjent, ai nuk i mbijetoi plagëve të marra, transmeton Telegrafi.
“Ky lajm më ka tronditur deri në palcë”, tha lideri i Baden-Württemberg, shteti në të cilin ndodhet Mannheim.
“Të gjitha mendimet tona janë me familjen, të afërmit dhe kolegët e oficerit”, shtoi Winfried Kretschmann.
Goditja me thikë tregon “rrezikun shpesh të pallogaritshëm ndaj të cilit oficerët e policisë janë të ekspozuar çdo ditë”, tha Kretschmann.
“Prandaj dëshiroj të shpreh ngushëllimin tim më të thellë për të gjithë oficerët e policisë në Baden-Württemberg. Ne jemi të gjithë të bashkuar me ju sot në pikëllim të thellë”, shtoi ai.
Më herët të dielën, rreth 800 njerëz formuan një zinxhir njerëzor në sheshin ku ndodhi sulmi. Ata synonin të dërgonin një mesazh kundër “dhunës, urrejtjes dhe agjitacionit”, thanë organizatorët.
Sulmi ndodhi në të njëjtën kohë me një tubim në shesh të organizuar nga Stürzenberger, një aktivist i ekstremit të djathtë. Një pjesë e saj u transmetua drejtpërdrejt në YouTube.
Sulmuesi i dyshuar, që besohet të jetë një afgan 25-vjeçar i cili mbërriti në Gjermani në vitin 2014, u qëllua dhe u plagos në vendngjarje. Sipas policisë, motivi i tij mbetet i paqartë. /Telegrafi/