Telegrafi

Vdes personi që u godit me thikë në Hajvali

Nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të rënda personi që u plagos me thikë sonte rreth orës 22:00 në Hajvali të Prishtinës.

Viktima që u dërgua në QKUK me plagë të rënda ka ndërruar jetë, përkundër ndërhyrjes së mjekëve për t’ia shpëtuar jetën.

“I plagosuri ka vdekur. Kemi ndërhyrë për 1 orë e gjysmë. Ai ka ardhur me plagë të rënda”, ka thënë për Gazetën Express, Avdush Bajgora, mjek kujdestar në Klinikën Emergjente në QKUK.

Incidentin e mbrëmjen e sotme në Hajvali e ka konfirmuar për Telegrafin, Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për Rajonin e Prishtinës.

“Sot rreth orës  22 :00, kemi marrë informatën për një përleshje fizike në Hajvali. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga një mjet i mprehtë është plagosur një person. I njëjti është dërguar për trajtim mjekësor”, ka thënë Ahmeti.

Sipas Ahmetit, lidhur me këtë rast janë arrestuar dy persona të dyshuar, ndërkohë që hetuesit  policorë kanë nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti.

Burime të Telegrafit nga QKUK kanë bërë të ditur se viktima është V. Xh., por pa treguar moshën e tij /Telegrafi/