Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e sotme në Ferizaj, ku një punëtor gjatë punimeve në projektin infrastrukturor “Bashkimi i Qytetit”, ka marrë lëndime të rënda e më pas ka ndërruar jetë.
Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të Komunës së Ferizajt në Facebook, transmeton Telegrafi.
“Pasditen e sotme, një ngjarje tragjike ndodhi në njërin nga segmentet e punës në projektin infrastrukturor ‘Bashkimi i Qytetit’, me ç’rast njëri nga punonjësit e kompanisë kontraktuese mori lëndime të rënda që pas përcjelljes në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt, ndërroi jetë. Me këtë rast, Kryetari i Komunës, Agim Aliu dhe drejtorët e drejtorive komunale i shprehin ngushëllime të sinqerta familjes, miqve e të njohurve të të ndjerit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/