Aktori i njohur për rolin e tij në “The Wire”, Lance Reddick, ka vdekur në moshën 60-vjeçare.
Reddick ishte gjithashtu i njohur për rolin e ‘Charon’ në ekskluzivitetin e filmave aksion-triller të “John Wick”.
Muzikanti dhe aktori vdiq të premten(17 mars) në shtëpinë e tij në Los Angeles, tha publicisti i tij, shkruan BBC.
Reddick kishte qenë në mes të një turneu shtypi për pjesën e katërt të filmave të John Wick, i cili është planifikuar të dalë më 24 mars.
Ai gjithashtu do të shfaqet në pjesën e ardhshëm të John Wick, “Balerina”, me protagoniste Ana de Armas.
Reddick u shfaq në më shumë se një duzinë filmash dhe shfaqjesh gjatë karrierës së tij 25-vjeçare të aktrimit.
Ai ishte Charon, portieri i hotelit në një qendër kriminale të nëndheshme të New York të quajtur Hotel Continental në filmat e “John Wick”. Ai u shfaq në filmin origjinal, dy vazhdimet e tij dhe do të shfaqet në pjesën e katërt.
Aktori ishte i njohur gjithashtu për rolin e tij të parë si toger i policisë së Baltimores Cedric Daniels në “The Wire”, një serial që u shfaq nga viti 2002 deri në 2008 dhe shqyrtoi skenën e narkotikëve në Baltimore nga perspektiva e zbatimit të ligjit, si dhe nga tregtarët dhe përdoruesit e drogës.
Ai ishte i njohur edhe për punën e tij të aktrimit me zë, duke përfshirë edhe për serialin televiziv “Rick and Morty”.
Reddick studioi muzikë klasike në Shkollën e Muzikës Eastman në Universitetin e Rochester në New York, ku mori një diplomë bachelor përpara se të ndiqte Shkollën e Dramës Yale.
Ai fitoi një nominim për çmimin “SAG” në 2021 së bashku me anëtarët e tjerë të kastit për rolin e tij në filmin “One Night” in Miami.
Aktori ka lënë pas gruan e tij, Stephanie, si dhe një vajzë, Yvonne Nicole Reddick dhe një djalë, Christopher Reddick. /Telegrafi/