Telegrafi

Vdes një i burgosur në ShSKUK, vuante nga sëmundjet kronike

Një i burgosur ka vdekur këtë të premte në Klinikën e Neurologjisë të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës.

Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton se viktima me inicialet R.S i lindur më 1959, ka ndërruar jetë rreth orës 17:52 për shkak të sëmundjeve kronike dhe disa komplikimeve që kishte.

Siç bëhet e ditur, nga pranimi i tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, për shkaqe shëndetësore është transferuar për në Stacionarin e Burgut të Dubravës, ku për shkak të gjendjes së tij shëndetësore jo të mirë ka qëndruar tërë kohën.

“Më 01.03.2023, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, nga mjeku kujdestar udhëzohet për vizitë mjekësore urgjente në Spiralin Rajonal të Pejës, ku edhe hospitalizohet në Repartin e Neurologjisë”, thuhet në njoftimin për media.

“Të njëjtën ditë, rreth orës 21:00, transferohet në SHSKUK, Klinika e Neurologjisë, për evaluim dhe trajtim të mëtutjeshëm, por për kundër përpjekjeve të vazhdueshme të stafit të Klinikës së Neurologjisë, bazuar në gjendjen e tij të përgjithshme si pasojë e sëmundjeve kronike dhe komplikimeve që kishte, i njëjti ka ndërruar jetë”.

Tutje, Shërbimi Korrektues njofton se organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa autopsia do të verifikojë shkakun e vdekjes. /Telegrafi/