Site icon Telegrafi

Vdes nga COVID-19 predikuesi amerikan që kundërshtoi vaksinën dhe përhapi teori konspirative rreth saj

Predikuesi i shquar i krishterë dhe avokati kundër vaksinës Marcus Lamb vdiq pasi u shtrua në spital me Covid-19, njoftoi familja e tij të martën.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për njeriun i cili themeloi rrjetin televiziv të krishterë Daystar Television Network në vitin 1997.

Gruaja e tij Joni Lamb, njoftoi vdekjen e tij në programin e Daystar të transmetuar në Facebook të martën.

Ajo tha se burri i saj kishte diabet, por ishte i shëndetshëm dhe ishte shtruar në spital pasi u diagnostikua me Covid-19.

“Ai kurrë nuk foli për këtë, por ai kishte diabet, por e mbajti nën kontroll. Ai ishte shumë i shëndetshëm, ushqehej shëndetshëm, mbante peshën e tij të ulët dhe gjithmonë e mbante sheqerin në një nivel të mirë”.

Marcus Lamb shpesh foli kundër vaksinave Covid-19 në emisionin e tij.

Në një episod në fillim të këtij viti me aktivistët kundër vaksinës Robert F. Kennedy Jr. dhe Del Bigtree, Lamb tha se vaksina Covid-19 “nuk ishte vërtet një vaksinë”, por një “një vaksinë eksperimentale” që ishte “e rrezikshme”.

Marcus Lamb madje pretendonte se njerëzit po vdisnin ose kishin çrregullime neurologjike nga vaksina.

Ndryshe, Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thonë se vaksinat Covid-19 “janë të sigurta dhe efektive” dhe se çdo ngjarje negative pas vaksinimit “janë të rralla, por mund të ndodhin”.

Ndërkohë njerëzit që nuk janë vaksinuar kundër Covid-19 kishin 11 herë më shumë gjasa të vdisnin nga sëmundja dhe 10 herë më shumë gjasa të shtroheshin në spital me sëmundjen, sipas një studimi të publikuar nga CDC. /Telegrafi/

Exit mobile version