Telegrafi

Vdes nga coronavirusi veterania e arsimit nga Drenasi, Hajrie Rrecaj

Ka vdekur të dielën veterania e arsimit nga fshati Zabel i Ulët i Komunës së Drenasit, Hajrie Rrecaj.

E ndjera ishte e infektuar me COVID-19.

Lajmi u bë i ditur nga SHFMU “Faik Konica”, Prishtinë.

Hajrie Rrecaj për herë të parë mori ditarin në dorë në vitin 1977, në shkollën fillore Emin Duraku komuna e Orllatit.

Pas tri vitesh filloi punën në Drenas dhe punoi 15 vite me radhë, si mësuese e mësimit klasor.

Në komunën e Prishtinës filloi punën në vitet e 90-ta në shkollën Asim Vokshi deri në mbarimin e luftës dhe pastaj e vazhdoi punën në shkollën tonë Faik Konica.

Mësuesja Hajrije përgjatë këtyre viteve la gjurmë të thella në arsim.

Lexo po ashtu Një jetë kushtuar nxënësve – Rrëfimi i mësueses Hajrije Rrecaj, që dha mësim edhe në kampin e Stankovecit gjatë kohës së luftës

Përcolli gjenerata te shumta duke punuar me përkushtimin më të madh në edukimin e brezave të rinj!

“Emrin e saj do ta kujtojmë me mall për bujarinë, fisnikërinë dhe çiltërsinë që reflektonte në mesin tonë”, thuhet në njoftim.

Telegrafi, më herët i kishte kushtuar një storie veteranes së arsimit Hajrie Rrecaj.

Mësueses Hajrije i kishte mbetur vetëm edhe një vit deri në përfundimin e misionit të saj, për të edukuar, mësuar e aftësuar plot 43 gjenerata nxënësish, të cilëve u mësoi shkrim e lexim, dhe për të cilët dha gjithë kontributin e saj, që të arrijnë majat e suksesit.