Telegrafi

Vdes nëna boshnjake që po kërkonte eshtrat e të birit që vdiq në masakrën e Srebrenicës

Hajra Catic, një figurë kryesore në përpjekjet për të gjetur eshtrat e mbi 8,000 myslimanëve boshnjakë të vrarë në masakrën e Srebrenicës në vitin 1995 dhe për të sjellë fajtorët para drejtësisë, ka vdekur të martën.

Catic, 78-vjeçare, nuk arriti të gjente eshtrat e djalit të saj, i cili vdiq në mizorinë më të keqe të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore që u konsiderua si gjenocid nga dy gjykata ndërkombëtare, raporton AFP, përcjell Telegrafi.

Ajo humbi 20 të afërm meshkuj, duke përfshirë burrin dhe djalin e saj, Nino Catic, korrespodent i Srebrenicës për disa gazeta boshnjake dhe media të tjera gjatë luftës në vitet 1992-1995, i cili ishte 26 vjeç kur vdiq.

“Hajra Catic vdiq sot pa qenë në gjendje të marrë pjesë në funeralin e djalit të saj Nihad Nino Catic”, tha qendra përkujtimore e Srebrenicës në një deklaratë.

Për 26 vjet “ajo ruajti kujtimin e guximit të këtij reporteri të luftës nga Srebrenica, duke i inkurajuar të tjerët se lufta për të vërtetën dhe drejtësinë nuk mund dhe nuk duhet të pushojë”, thuhej më tej. /Telegrafi/