Clarence Gilyard, një aktor veteran që kishte role të dukshme në “Die Hard”, “Matlock” dhe “Walker, Texas Ranger”, i cili më vonë u bë profesor teatri dhe autor, ka vdekur.
Ai ndërroi jetë në moshën 66-vjeçare.
Universiteti i Nevadas, Kolegji i Arteve të Bukura në Las Vegas, ku jepte mësim Gilyard, njoftoi vdekjen e tij të hënën pasdite, sipas Las Vegas Review-Journal.
Ai vuante nga një sëmundje, mirëpo nuk u publikuan detaje të tjera.
Në një karrierë të pasur dhe të larmishme që zgjati pesë dekada, Gilyard arriti sukses në film, televizion dhe në skenë.
Për adhuruesit e filmit, ai është ndoshta më i njohur për rolin e Theo, hakerit të kompjuterit të Hans Gruber në “Die Hard” të vitit 1988. Në vitet 1990, Gilyard ishte një fytyrë e njohur në televizion, fillimisht për rolin e hetuesit privat Conrad McMasters në dramën “Matlock” dhe më pas, në një rol përcaktues të karrierës, si Ranger James Trivette në serialin “Walker, Texas Ranger”.
I njëjti ka lindur si Clarence Darnell Gilyard Jr. në vitin 1955, në Moses Lake, Washington.
Ai hyri në Akademinë e Forcave Ajrore të ShBA-së pas shkollës së mesme, por u largua pas një viti. I ndjeri ndoqi Kolegjin Sterling në Kansas, duke luajtur për ekipin e futbollit, por nuk mund të përballonte të qëndronte atje dhe u transferua në Kaliforni.
Roli më i njohur në film i Gilyardit erdhi në filmin klasik të John McTiernanit “Die Hard” (1988), duke luajtur rolin e magjistarit të teknologjisë Theo.
Clarence ka luajtur me një sërë yjesh të famshëm si Bruce Willis si dhe De’voreaux White. /Telegrafi/