Telegrafi

Vdes në moshën 15 vjeçare aktorja e Disneyt, Nikita Pearl Waligwa – pasi i ishte kthyer kanceri

Nikita Pearl Waligwa (Foto: Screenshot/Disney)

Ylli i “Queen of Katwe”, Nikita Pearl Waligwa, ka ndërruar jetë në moshën 15 vjeçare, pasi ishte diagnostikuar me tumor në tru.

Në projektin e Disneyt që fliste për një talente shahu nga një lagje e varfër në Ugandë, ajo e ka luajtur rolin e Glorias, ndërsa në këtë film ka luajtur edhe aktorja fituese e çmimit Oscar, Lupita Nyong’o.

Mjekët për herë të parë e kishin zbuluar tumorin në vitin 2016 dhe pas radioterapisë (terapisë me rrezatim) njëvjeçare, ekzaminimet mjekësore kishin treguar se janë zhdukur qelizat kanceroze.

Nikita Pearl Waligwa dhe Lupita Nyong’o (Foto: Ec/Disney/Kobal/REX/Shutterstock)

Pas diagnostikimit të Nikitas me kancer, menjëherë pas edhe nëna e saj, Rachel Asiimwe Waligwa, ishte diagnostikuar me kancer dhe mjekët i kishin thënë se kishte vetëm dy muaj jetë.

Mirëpo, ajo i ka mbijetuar sëmundjes dhe e ka quajtur një mrekulli, por fatkeqësisht e njëjta gjë nuk ka ndodhur me vajzën e saj.

Ajo kishte zhvilluar një tjetër tumor dhe përkundër terapisë, aktorja ka ndërruar jetë të shtunën mbrëma në një spital në Naalya të Kampalas në Ugandë. /Telegrafi/