Në një lajm të fundit, gazeta amerikane The Los Angeles Times ka raportuar se mbreti i muzikës pop ka vdekur.
Këngëtari kishte pësuar arrest kardiak (ndalim së funksionuari të zemrës), ndërsa kur ndihmësit mjekësor kishin arritur në shtëpinë e tij, ai më “nuk merrte frymë”.
Gati të gjitha mediat amerikane pohojnë se Jackson është në komë , ndërsa LA Times, duke iu referuar zyrtarëve të spitalit ku këngëtari është shtruar, pohon se ai tashmë është i vdekur.
Michael Jackson, Foto: Daylife
Ikona e muzikës pop filloi karrierën si fëmijë me grupin “Jackson 5”, ndërsa u bë këngëtari më i famshëm në botë kur filloi të këndonte solo në vitet e shtatëdhjeta.
Lansimi i albumit “Thriller” ishte arritja më e madhe e tij në karrierë, pasi ky album mban rekordin e albumit më të shitur të të gjitha kohërave. Derisa hitet e tilla si “Billie Jean” dhe “Beat It” bënë që Mbreti i muzikës pop të pëlqehet nga miliona fansa anembanë botës, të cilët imitonin stilin e tij të vallëzimit.
Gruaja e parë e legjendës së muzikës ishte vajza e Elvis Presleyt, Lisa Marie Presley, me të cilën u martua në vitin 1994, ndërsa martesa e tyre zgjati vetëm dy vite.
Lisa Marie Presley dhe Michael Jackson. Foto: Daylife
Më vonë, ai u martua me australianen Debbie Rowe me të cilën ka dy fëmijë, Prince dhe Paris. Ndërsa fëmija i tretë, Prince Michael II, është lindur nga një nënë surrogate për të cilën nuk ka informata.
Vitet e fundit Jackson ka pasur probleme serioze financiare me ç’rast thuhej se ka borxh afër 500 milionë dollarë, një pjesë të madhe të këtij borxhi këngëtari shpresonte ta paguajë me koncertet e paralajmëruara të mbaheshin në O2 Arena të Londrës nga muaji korrik.
Njëra nga këngët më të pëlqyera të Jackson, “Dirty Diana”
Megjithatë konfirmimi për vdekjen e Michael Jackson do t’i bëjë miliona njerëz anekënd botës që të mbajnë zi për njeriun që do të mbahet mend gjatë në histori. /Telegrafi/