Krijuesi i “Dragon Ball”, një nga serialet e animuara japoneze më ndikuese dhe më të shitura të të gjitha kohërave, ka ndërruar jetë në moshën 68-vjeçare.
Akira Toriyama vdiq pasi pësoi një hematomë subdurale akute, një lloj gjakderdhjeje pranë trurit, tha studioja e tij të premten, shkruan BBC.
“Dragon Ball” është jashtëzakonisht popullor në mbarë botën dhe seriali i animuar ka sjellë edhe versione filmike.
Fansat kanë bërë homazhe për zotin Toriyama për krijimin e personazheve që janë bërë pjesë e fëmijërisë së tyre.
Seriali i animuar “Dragon Ball” u publikua për herë të parë në vitin 1984. Ndjek një djalosh të quajtur Son Goku në misionin e tij për të mbledhur topa magjikë dragoi për të mbrojtur Tokën nga humanoidët alienë të quajtur Saiyans.
Zoti Toriyama kishte vepra të papërfunduara në kohën e vdekjes së tij. Ai vdiq më 1 mars dhe në varrimin e tij morën pjesë vetëm familja dhe disa miq shumë të ngushtë, sipas një deklarate nga faqja e internetit të “Dragon Ball”.
“Ai do të kishte shumë më tepër për të arritur. Megjithatë, ai ka lënë shumë tituj mangash dhe vepra arti në këtë botë”, tha studioja e tij. “Ne shpresojmë që bota unike e krijimit të Akira Toriyamës të vazhdojë të dashurohet nga të gjithë për shumë kohë”, shtoi ajo. /Telegrafi/