Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë ka njoftuar se ka vdekur gjenerali britanik Sir Mike Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë.
Gjenerali Sir Mike Jackson ishte pjesë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës më 9 qershor 1999 ndërmjet autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra nga gjenerali britanik dhe ish-shefit të Shtabit të Armatës së Serbisë, gjeneralit Nebojsha Pavkoviq, më vonë i akuzuar i Hagës për krime lufte dhe gjenocid. Me këtë marrëveshje, Serbia është detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.
Vetëm tri ditë më vonë, gjenerali britanik u priu rreth 40 mijë trupave ushtarake të 26 vendeve të ndryshme, që hynë në Kosovë në kuadër të KFOR-it.
Jackson ishte bërë lajm ndërkombëtar më 12 qershor të vitit 1999 kur kishte refuzuar urdhërin e Wesley Clark Komandantit të Forcave të NATO-s për Evropë për t’i sulmuar trupat ruse, të cilat ishin vendosur në Aeroportin e Prishtinës.
“Nuk do ta nis Luftën e Tretë Botërore” raportohet t’i ketë thënë atë kohë Jackson Clarkut.
Gjenerali i famshëm britanik gjatë mandatit të tij kishte negociuar demilitarizimin e UÇK-së nga e cila kishin dala Trupat e Mbrojtjes së Kosovës.
Në njoftimin e Ambasadës britanike shprehet pikëllim për vdekjen e Gjeneral Sir Mike Jackson.
“Gjeneral Sir Mike Jackson KCB CBE DSO lindi në vitin 1944 dhe u edukua në Shkollën Stamford, RMA Sandhurst dhe Universitetin e Birminghamit.
Ai u gradua nga Sandhurst në Korpusin e Inteligjencës në dhjetor të vitit 1963 ndërsa studioi “Studime Ruse” nga viti 1964 deri në 1967.
Pas diplomimit, ai kaloi përkohësisht dy vjet në Regjimentin e Parashutistëve dhe më pas u transferua në Korpusin e Inteligjencës në vitin 1970. Gjatë fillim viteve të ’70-tave, ai shërbeu në Irlandën e Veriut dhe me TA-në në Skoci.
Ai ndoqi Kolegjin e Shtabit në vitin 1976, pas së cilit kaloi dy vjet si Shef i Shtabit të Brigadës së Këmbësorisë së Berlinit. Më pas komandoi një kompani parashutistësh për dy vjet, përsëri në Irlandën e Veriut.
Pas një kursi 6 mujor në Kolegjin Kombëtar të Mbrojtjes në Latimer në vitin 1981, ai iu bashkua stafit drejtues në Kolegjin e Shtabit.
Turneu i tij dyvjeçar e gjysmë në Camberley përfshinte një lidhje 10 javore në Ministrinë e Mbrojtjes gjatë konfliktit në Ishujt Falkland”, thuhet në postimin ambasadës. /Telegrafi/