Site icon Telegrafi

Vdes ish-futbollisti dhe veprimtari shumëvjeçar i Ferizajt, Nadir Haxhimusa

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) me anë të kryetarit Agim Ademi ka lëshuar një telegram ngushëllimi për familjen Haxhimusa, pas ndarjes nga jeta të ish-futbollistit dhe veprimtarit shumëvjeçar të futbollit kosovar e në veçanti atij ferizajas, Nadir Haxhimusa.

Dita e sotme (e enjte) ishte e kobshme për sportin kosovar e në veçanti atë ferizajas, pasi papritmas u nda nga jeta ish-futbollisti dhe veprimtari Nadir Haxhimusa.

Vdekja e hershme e Haxhimusës ka prekur të gjithë ata të cilët e kanë njohur, ndërsa edhe FFK me anë të kryetarit Agim Ademi ka lëshuar një telegram ngushëllimi.

Nadir Haxhimusa

Telegrami i FFK-së

E nderuara Familje Haxhimusa!

Të nderuar drejtues dhe staf i KF Ferizaj!

Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj Nadir Haxhimusa, ndaj ju lutem më lejoni që në emrin tim, KE, klubeve, futbollistëve dhe tërë komunitetit të futbollit, të ju shpreh ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta.

Nadiri ishte pjesë e gjeneratës së futbollistëve të cilët i rezistuan pushtuesit serb në vitet e 90-ta. Ai ishte sulmues i spikatur i KF Ferizajt dhe me paraqitjet e tij la gjurmë të pashlyeshme në futbollin kosovar, duke u shndërruar në model për shumë breza të rinj ferizajas.

Edhe pas përfundimit të karrierës si lojtar, Nadiri gjithmonë i qëndroi afër klubit të tij të zemrës, duke e ndihmuar në forma të ndryshme rritjen e tij, si drejtues dhe menaxher i sukseseshëm.

Kontributi i tij në klub ishte i jashtëzakonshëm dhe pa dyshim ishte ndër punëtorët më të dalluar sportivë në klub.

Ikja e tij e hershme është humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për vet futbollin ferizajas.

Nadiri u dallua për virtyte të larta intelektuale e sportive dhe si personalitet që tërë jetën ia kushtoi futbollit dhe KF Ferizajt.

Komuniteti i futbollit përherë do ta kujtojë atë si njeri të dashur dhe do ta vlerësojë për kontributin e tij në avancimin e futbollit ferizajas.

I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!

Me respekt

Agim Ademi, president i FFK-së

/Telegrafi/

Exit mobile version