Telegrafi

Vdes gazetari Shaban Arifaj

Ka vdekur në moshën 69-vjeçare, të premten gazetari veteran, Shaban Arifaj. 

Arifaj ka punuar në Radio Kosovë dhe Radio Televizionin e Kosovës për shumë vjet, duke mbajtur pozicione të rëndësishme si redaktor dhe redaktor përgjegjës.

Në vitin 1974, Arifaj kishte nisur punën si spiker, gazetar dhe redaktor në Radio Televizionin e Prishtinës (RTP). Pas mbylljes së RTP-së nga regjimi serb, ai shkruajti për gazetat dhe revistat që botoheshin në Prishtinë si “Shkëndija”, “Kosovarja”, “Fjala”, “Dielli” etj. Ndërkohë, ai filloi të raportonte për Radio Zagrebin nga Prishtina dhe Brukseli ku kishte hapur radio stacionin “Radio Kosova” ku kryente punën e kryeredaktorit duke raportuar njekohësisht për ngjarjet kryesore nga Brukseli.

Ai ka punuar edhe si korrespondent i radios “Zëri i Kosovës” në Kopenhanger Kanalen (Danimarkë) dhe për radion publike të Suedisë.

Shaban Arifaj ka raportuar për ngjarje të ndryshme nga Viena, Uashingtoni, Montreali, Otava, Brukseli etj.

Ndërkaq, nga viti 1992-1997, ishte redaktor përgjegjës në Radiotelevizionin shqiptar (RTSH), redaksia e Kosovës.

Me këtë rast, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe kolegët e tij.