Valentina Bondarenko, një ekonomiste e lartë ruse, ka vdekur në moshën 82-vjeçare pasi ra nga dritarja e banesës së saj në Moskë, njoftuan mediat shtetërore ruse të martën.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Bondarenko, një studiuese kryesore në Institutin e Ekonomisë të Akademisë Ruse të Shkencave në Moskë, ra nga dritarja e banesës së saj të hënën në mbrëmje, thanë shërbimet e urgjencës për agjencinë e lajmeve Tass.
“Ajo ka rënë nga dritarja e banesës së saj, fatkeqësisht nuk ka mundur ta shpëtojë, lëndimet që ka marrë janë të papajtueshme me jetën”, ka thënë burimi.
RUSSIAN MEDIA: Prominent Russian economist Valentina Bondarenko was found dead today in front of her Moscow-area apartment building after “falling out of the window accidentally.” pic.twitter.com/Wr0NraCUxu
— Kareem Rifai 🌐 (@KareemRifai) July 24, 2024
Ndërsa rrethanat pas vdekjes së Bondarenkos mbeten të paqarta, një numër zyrtarësh të shquar rusë kanë vdekur pasi kanë rënë nga dritaret që nga fillimi i luftës së presidentit Vladimir Putin kundër Ukrainës në shkurt 2022, duke përfshirë një ekzekutiv të lartë të naftës dhe një zyrtar të mbrojtjes.
Burimi i shërbimeve të urgjencës i tha Tass se sipas informacioneve paraprake, “vdekja e Bondarenkos nuk është e natyrës kriminale, gruaja ishte e sëmurë për një kohë të gjatë”.
“Në sipërfaqe, duket si një vetëvrasje, por hetuesit po kontrollojnë gjithashtu versionin e një aksidenti”, tha të martën kanali rus Telegram MK: Urgent News.
Sipas mediave ruse, Bondarenko kishte punuar në Institutin Ekonomik të Akademisë së Shkencave Ruse që nga viti 1988 dhe u emërua drejtoreshë e organizatës së kërkimit ekonomik, Fondacioni Ndërkombëtar N.D. Kondratiev në vitin 1993 – një pozicion që ajo mbajti deri në vdekjen e saj. /Telegrafi/